Ronald Koeman doli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Granada, që korrespondon me javën e 18-të të La Liga-s. Ndër të tjera, kryepankina e Barcelonës nënvizoi: “Unë gjithmonë shikoj ekipin, që renditet i pari. Atlético Madrid është shumë i fortë, gara për titullin duket mjaft e komplikuar. Ne nuk mund të humbasim shumë pikë të tjera. Kapja e kreut është e komplikuar, duhet të jemi realistë. Sidoqoftë, derisa mundemi matematikisht, do të përpiqemi.

Lumturia e Messit? Ai është një fitues, i pëlqen të luajë çdo ndeshje. Leo ka bërë maksimumin që nga dita e parë. Na ndihmon shumë për të fituar, por nuk është normale që në çdo ndeshje të shënojë nga tre gola.

Transferimet? Do të ishin të rëndësishme, sepse duam ta përmirësojmë skuadrën. Na duhet më shumë konkurrencë dhe efektivitet në disa pozicione. Por, unë e kuptoj situatën e klubit. Nëse nuk është e mundur, do të vazhdojmë me të njëjtin intensitet. Të shpresojmë për sesionin e ardhshëm.

Dembélé? Gjëja më e rëndësishme është aspekti fizik. Ne e dimë se ka pasur fat të keq me dëmtimet. Ka një nivel të lartë si futbollist, por e rëndësishme është që të jetë mirë fizikisht. E shoh mirë, është i sigurt dhe i lumtur. Më pëlqen, ka cilësi si sulmues. Ai ka cilësi në lojën 1 kundër 1. Shpresojmë që të vazhdojë me nivelin e tij dhe, nëse mundet fizikisht, të luajë shumë ndeshje.

Ndeshja më e mirë e këtij sezoni? Kjo nuk varet nga sistemi. Janë lojëra ku kemi pasur intensitet të mirë në qarkullim topi, cilësi në qendër dhe thellësi në sulm. Për mua, ndeshja kundër Juves, jashtë, ishte më e mira që kemi luajtur”.