Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë para gazetarëve, ku ka zbuluar edhe vendimet e marra. Kështu, në dy javët e ardhshme, Shqipëria do të jetë nën të njëjtat masa kufizuese, sa i takon parandalimit të përhapjes së Covid-19. Zëvendësministrja Mira Rakacolli u shpreh se ora policore do të vijojë të mbetet në fuqi, që nënkupton kufizimin e lëvizjes dhe aktivitetit nga ora 22 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.

Ndërkohë, universitetet do të vijojnë të jenë të mbyllura, njësoj si edhe fluturimet me Britaninë e Madhe. Nuk ka të dhëna nëse mutacioni britanik i Covid-it ka mbërritur në Shqipëri. Rakacolli nënvizoi: “Ka një tendencë të lehtë uljeje, e cila mbetet për t’u konfirmuar në javët në vijim. Nuk kemi ende të dhëna nëse virusi britanik ka hyrë në vendin tone. Do të vazhdojë të mbetet në fuqi ora policore, edhe universitetet do të vijojnë që të jenë të mbyllura, mësimi do të vijojë online. Fluturimet me Britaninë e Madhe do të jenë të pezulluara deri në datën 18 janar. Të vazhdojmë të mbajmë maskat, të ruajmë distancimin social”.

Ndërkohë, drejtoresha e përgjithshme e ISHP-së, Albana Fico, ka “skanuar” situatën e pandemisë në dy javët e fundit. Ajo ka sqaruar grupmoshën e personave më të prekur, të cilët janë 55-64 vjeç, ndërsa në vend të dytë rreshtohen të rinjtë e moshës 25-34 vjeç:

 “Gjatë javës së fundit, incidenca është ulur lehtësisht. Për dy javët e fundit incidenca mbetet 177 raste për 100 mijë banorë, krahasuar me dy javët e mëparshme. Pozitiviteti është 22%. Mosha e rasteve të konfirmuara është 47.5 vjeç.

Për situatën pandemike po merret në shqyrtim periudha 23 dhjetor deri më 5 janar. Niveli i pozitivitetit është mesatarisht  22 %. Mosha mesatare është 48.7 vjeç dhe intervali është nga 2 muaj deri në 98-vjeç. Mosha më e prekur është ajo 55-64 vjeç dhe më pas ajo 25-34 vjeç, e treta 45-54 vjeç. Ka një rritje te grupmosha 25-34 vjeç, ndaj të rinjtë duhet të tregojnë kujdes. Gjirokastra është në fillim për nga incidenca, e ndjekur nga Tirana dhe Lezha.

Pra, nuk ka vend për vetëkënaqësi. Transmetueshmëria është e lartë dhe mbi të gjitha jemi në pikën kur duhet të jemi të kujdesshëm në zbatimin e masave. Ne mendojmë se këto masa kanë kontribuar në këto shifra ku jemiTë respektojmë masat. Duke nisur me mosgrumbullimet, maskën dhe respektimin e orës policore”.