Është mbledhur këtë të enjte Komiteti Teknik i ekspertëve për situatën e pandemisë në vend, ndërkohë që nesër mbërrijnë 38.400 dozat e para të vaksinës Astrazeneca, me të cilat do të nisë menjëherë vaksinimi i mësuesve. Dhimitër Kraja do jetë anëtari i ri i Komitetit Teknik i Ekspertëve, si dhe do të zëvendësojë shefen e Infektivit, Najada Çomo, pasi kjo e fundit u kandidua për deputete. Ndërkohë, Alban Ylli zëvendëson Tritan Kalon. Nga ana tjetër është shtuar edhe një anëtare e re, Ermira Kola.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se në vendin tonë konfirmohet varianti britanik i Covid-19. ”Në vlerësimin e situatës janar-shkurt janë analizuar kampione, laboratori ka përdorur kite specifike dhe në këtë rast ISHP ka bashkëpunuar me Ankaranë. Rezultet treguan se kampionët ishin infektuar me mutacionin britanik. Varianti është në qarkullim në më shumë se 70%. Dyshimet e arsyeshme që ekspertët patën që në momentin që filloi rritja e infektimeve, tashmë është e konfirmuar. Shqipëria ka në qarkullim edhe këtë mutacion”.

Masat anti-Covid do të jenë të njëjtat, siç kanë qenë deri më tani. ”Ndryshime në icidencë, ka pësuar rënie. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë. Rastet aktive kanë pësuar ulje të lehtë. Duhet të monitorohet situata. Femrat po preken më shumë se meshkujt, ndërsa këta të fundit kanë fatalitetin më të madh. Ka një tendencë. S’është momenti për t’u gëzuar. Masat duhet që të vijojnë. Kanë sjellë ndryshime që mund të përmirësjnë situatën. Nga ana tjetër apelojmë tek qytetarët të respektojnë rregullat”, – tha Albana Fico, drejtoresha e ISHP-së.

Masat që janë ende në fuqi
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
– Universitetet vijojnë online
– Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe