Reperi shqiptar Noizy do të organizojë në Tiranë koncertin “Alpha”, ose siç e quan ai ndryshe, koncerti më i madh i repit që do të ndodhë ndonjëherë në Shqipëri.

Prej disa javësh ai ka dhënë lajmin për të gjithë ndjekësit e tij dhe fansat, teksa koncerti do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet më 14 gusht.

Kur kanë mbetur më pak se tre javë, biletat për eventin mund të blihen edhe online. Në koncert priten të jenë mbi 15 mijë persona, teksa do të jetë i ndarë në zona të ndryshme, ku secili mund të blejë biletë në varësi të zonës.

Kështu, çmimet e biletave do të nisin nga 25 euro ose 3 mijë lekë të reja në zonën Bronze, 45 euro ose 5 mijë lekë të reja në zonat A dhe B Silver, ndërsa zonat A dhe B Gold ku biletat kushtojnë nga 85 euro janë tashmë të shitura (sold out).

Çmimet më të shtrenjta janë për zonat Platinium A dhe B ku vlera e një bilete shkon 180 euro ose 20 mijë lekë të rinj.

Noizy nuk do të jetë i vetëm në skenë pasi emra të njohur të muzikës shqiptare që kanë pasur edhe bashkëpunim me artistin do të performojnë në këtë koncert. Disa prej tyre janë: Loredana, Ledri Vula, Dhurata Dora, Loredana, Xhensila, Kida, Ardian Bujupi, Finem, Solo e të tjerë.