Arjon Muça nuk do të jetë më moderator i programit të mëngjesit “Ditë e Re”. Ky lajm që qarkullon prej shumë ditësh në mediat online u konfirmua ditën e sotme nga moderatorja tjetër e emisionit, Arjola Shehu, e cila prezantoi sot e vetme programin, ndërsa në hyrje të tij dha edhe një sqarim për mungesën e Arjonit në emisionin “Ditë e re”.

Arjola u shpreh se Arjoni nuk do të jetë më pjesë e këtij programi, duke treguar se ajo do ta moderojë e vetme emisionin e mëngjesit që nga dita e sotme. Gjithashtu, moderatorja u shpreh se ky program ka shërbyer për shumë persona televizivë si një stacion ku kanë bërë vitet e tyre të karrierës e më pas për të vazhduar më tej.

Sigurisht, dikush ka lexuar edhe portalet. Sikurse e shihni, unë tanimë në program jam vetëm. Po, është e vërtetë. Arjon Muça nuk do të jetë më pjesë e programit “Ditë e Re”. Ne e përshëndesim shumë sigurisht Arjonin. Por nga ana tjetër, unë këtë program do ta vazhdoj vetëm nga ora 7 deri në orën 10 çdo ditë, ky program nuk ndalon. E në fakt, nëse shikojmë historinë e programit “Ditë e re”  dhe me Arjonin, por edhe me të ftuar të tjerë e kemi diskutuar vazhdimisht.

Ky është një program që ka nisur vite më parë nën prezantimin e Enkel Demit për të pasuar me shumë personazhe televizivë të cilët kanë ndaluar në stacionin e programit “Ditë e Re” për të bërë vitet e tyre të karrierës dhe për të vazhduar. Kështu ndodhi në fakt edhe në momentin kur unë dhe në atë kohë Kelvi Kadilli, e morëm stafetën e programit “Ditë e Re”.

Por televizionet janë të tilla, lëvizjet mediatike janë të tilla, kështu që është e kuptueshme apo realitet në Shqipërinë tonë, ashtu sikurse ndodh në të gjithë botën kjo lëvizje. Kështu që si më iku Kelvi, më erdhi Arjoni. Sot, unë do ta vazhdoj programin e vetme, do ta çoj përpara deri në orën 10” – u shpreh në hapje të emisionit të ditës së sotme moderatorja Arjola Shehu.