Sheryl Sandberg krahu i djathtë i Mark Zuckerberg, themeluesit të “Facebook”, ka njoftuar largimin e papritur nga detyra e shefes operative të “Meta”. Ajo është larguar nga shoqëria pas 14 vitesh. Lajmin e bëri publike vetë Sandberg përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Kur jam takuar me Mark nuk po kërkoja një vend pune dhe nuk e dija që ky takim do të ndryshonte tërësisht jetën time. Të jesh pranë Mark në këto 14 vite ka qenë një nder dhe privilegj”, thotë numri 2 i “Facebook”.
Më tej, ajo shtoi: “Ishte një vendim që nuk e mora sa hap e mbyll sytë. Dua t’i jap më shumë hapësirë fondacionit tim dhe filantropisë”. Vendin e saj do ta zërë Javier Olivan, vendim që e mori Zuckerberg.
“Ky është fundi i një epoke. Do të më mungojë shumë në krye të kompanisë”, tha themeluesi i “Facebook”. Ky lajm ka patur efekt të menjëhershëm në bursën e Wall Street, ku kuotat e “Facebook” pësuan një rënie me 2.58%.