Babai i Ardian Ismajlit, Ilmia, ka qenë shpesh herë në qendër të vëmendjes mediatike. Ai ka dhënë deklarata të forta në lidhje me djalin e tij sidomos kur u largua nga Kosova dhe zgjodhi Shqipërinë. Babai i Ardianit ka folur sërish për djalin e tij dhe sidomos për ndeshjen ndaj Interit për Specia1906.com.

Titullar me Interin – “Të shikoja Ardianin duke luajtur në “San Siro“ ishte një emocion unik, ai dukej i mrekullueshëm. Jam shumë krenar për të, luajti një lojë të mirë dhe tregoi cilësitë e tij të mira. E kishte shumë të vështirë që të përshtatej me futbollin italian, sepse është shumë ndryshe nga futbolli kroat”.

Ardiani– “Ai është një djalë që punon shumë dhe është shumë i motivuar. Ka një karakter të fortë dhe është një person me zemër të madhe. Talenti nuk i mungon dhe ka aftësinë për t’u përshtatur me çdo lloj kampionati. Besoj se Ardiani është 100% gati për të luajtur. Ai ka sakrifikuar shumë për të arritur këtu ku është. E di që ndihet i gatshëm për të dalë në fushë dhe për të dhënë më të mirën për këtë fanellë”.

Spezia – “Ai ka krijuar një marrëdhënie të shkëlqyeshme me trajnerin, shkon shumë mirë me të. Është shumë i lumtur dhe i kënaqur me marrëdhënien që ka krijuar me shokët e tij të skuadrës. Ardiani, por edhe unë presim që ai të jetë në gjendje të marrë rezultate pozitive, por edhe të përmirësohet në aspektin tekniko-taktik”.

Idhulli – “Idhulli i tij është Sergio Ramos. E admiron atë, sepse është një luftëtar dhe nuk dorëzohet kurrë. Ëndrra e madhe? Ka dashur gjithmonë të bëhej një futbollist i suksesshëm”.

Shqipëria – “Kur e shoh duke luajtur me fanellën e kuqe ndjej emocione shumë të forta, kurrë nuk kam menduar se do ta shihja duke luajtur në ekipin kombëtar. Ka punuar gjithmonë me këmbëngulje, motivimi nuk i ka munguar kurrë dhe më ka befasuar edhe mua”.