Kreshnik Qato është padyshim një nga boksierët më të mirë në historinë e Shqipërisë, i cili e nisi karrierën në fillim të viteve 2000 dhe numëron mbi 30 fitore në peshat e mesme.

Në një intervistë të fundit për Panorama Sport, Qato flet gjatë për karrierën e tij, por nuk mund të shpëtonte pa u pyetur për Florian Markun.

“The Eagle” apo “Shqiponja”, siç njihej në ring, kujton se si institucionet shqiptare e mashtruan vetëm një ditë para në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të karrierës, ku do të përfaqësonte flamurin kuqezi.

Ndër të tjera, Qato ka një përgjigje edhe për ata persona që asokohe pretendonin se duelet e tij nuk ishin të vërteta, si dhe tregon të përbashktën mes tij dhe Florian Markut dhe nëse ky i fundit është apo jo pasardhësi i tij.

“Kam respekt për Markun, pasi si sportist është shumë kërkues ndaj vetes dhe jam shumë krenar për të që ngre imazhin e boksit profesionist shqiptar nëpër botë”, thotë Qato.

“Çdo sportist përfaqëson vlerat e tij në kohë të ndryshme, unë si pasardhësin tim shikoj djalin tim Nikola, i cili është 18 vjeç dhe është aktivizuar në 50 ndeshje si boksier amator dhe gjithashtu është shpallur kampion i Londrës”, shton Qato.