Sipas “Zëri i Amerikës”, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se bota është “në prag të një dështimi moral katastrofik” për shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave për COVID-19. Duke folur në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së të hënën, në Gjenevë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se nuk është “e drejtë që më të rinjtë dhe më të shëndetshmit në vendet e pasura të vaksinohen para punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve në vendet e varfra”. “Më shumë se 39 milion doza vaksinash janë injektuar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një nga vendet me të ardhura më të ulëta, – jo 25 milionë, jo 25,000 – vetëm 25”, – tha ai.

Zoti Tedros tha nëse vendet e pasura nuk i ndajnë vaksinat COVID-19 me vendet e varfra, “ky dështim do të paguhet me jetë dhe mjete jetese”. Ai shtoi se në fund të fundit, një “qasje egoiste” në shpërndarjen e vaksinave “vetëm do të zgjasë pandeminë”. Po të hënën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti amerikan Donald Trump kishte hequr ndalimet e lidhura me koronavirusin për udhëtimin e shumicës së qytetarëve joamerikanë nga pjesa më e madhe e Europës dhe Brazilit, duke filluar nga 26 janari. “Ky veprim është mënyra më e mirë për të vazhduar mbrojtjen e amerikanëve nga COVID-19, ndërsa lejon udhëtimet të rifillojnë në mënyrë të sigurt”, – tha zoti Trump në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Sidoqoftë, sekretarja e shtypit e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, Jen Psaki, u përgjigj disa minuta më vonë në Twitter, duke thënë: “Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime më 26 janar. Përkundrazi, ne planifikojmë të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ndalim përhapjen e COVID-19”. Udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që hyjnë në fuqi më 26 janar, do të kërkojnë që të gjithë pasagjerët që hyjnë në SHBA nga ajri, të kenë një test negativ për COVID-19 përpara se të hipin në avion.

Po të hënën, një panel i pavarur që rishikon trajtimin global të pandemisë COVID-19 kritikoi si Organizatën Botërore të Shëndetësisë ashtu edhe Kinën për reagimin e tyre ndaj virusit.Paneli i ekspertëve i udhëhequr nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re Helen Clark dhe ish-presidentja liberiane Ellen Johnson Sirleaf thanë në një raport se OBSH-ja duhet të kishte shpallur një emergjencë ndërkombëtare më shpejt sesa 30 janari. Komisioni tha gjithashtu se Kina mund të kishte zbatuar masat e shëndetit publik më me forcë në janar. Paneli do të paraqesë raportin e tij përfundimtar në maj.