Kryeministri i Anglisë, Boris Johnson (56 vjeç) dhe Carrie Symonds (33 vjeçe), janë martuar në një ceremoni sekrete dhe private, në katedralen e Westminster, në Londër. Mediat britanike bëjnë me dije se çifti ka shkëmbyer unazat në prani të një grupi shumë të vogël miqsh e familjarësh.

Për kryeministrin britanik kjo është hera e tretë që shkon në altar. Sipas mediave, kjo ceremoni është planifikuar muaj më parë dhe në të janë përfshirë vetëm pak njerëz të kishës ku u zhvillua dasma. Mësohet se 30 të ftuarit, numri maksimal i lejuar në Angli për grumbullime, janë njoftuar në momentin e fundit.

Personeli i katedrales, në orën e drekës, kur u zhvillua ceremonia, ka larguar vizitatorët dhe më pas ka mbërritur çifti si dhe djali i tyre 1-vjeçar, Wilfred. Të pranishëm edhe dy dëshmitarë si dhe disa familjarë. Ceremonia u mbajt nga prifti Daniel Humphreys, që ka pagëzuar edhe fëmijën vitin e kaluar.