Teksa po afron muaji tetor, kur do të nisë zyrtarisht edhe programi i kërcimit “Dancing With The Stars”, kanë nisur të zbulohen disa prej emrave të konkurentëve.
Fillimisht, faqja zyrtare e programit zbuloi emrin e Alban Nimanit, ndërsa më vonë edhe emrin e blogeres Sara Hoxha e gazetarit Isli Islami.
Sakaq, ditën e sotme, në faqen e programit është zbuluar edhe emri i një tjetër konkurenteje, personazh mjaft i njohur dhe i komentuar në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Megi Pojanin, një nga vajzat e spikatura për fotot dhe deklaratat e saj. Vetë faqja e prezanton Megin si një showgirl dhe vajzë provokuese.
“Një showgirl si Megi! Kudo provokuese, por sa do të arrijë ta joshë jurinë e Dancing with the Stars. Suksese Megi!” – shkruan faqja e programit në Instagram.
Megi Pojani spikat edhe për kërcimet e saj, teksa poston shpesh video në rrjetet e saj sociale, duke treguar se me shumë gjasa do të ecë gjatë në këtë rrugëtim.