“Epoka e botës unipolare”, e dominuar nga Shtetet e Bashkuara, “ka përfunduar”. Kështu deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, në një fjalim të mbajtur në seancën plenare të Forumit Ekonomik të Shën Peterburgut, duke sulmuar ashpër Uashingtonin dhe gjithë Perëndimin.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar gjithmonë veten “policë të botës”, tha ai, dhe “veprojnë duke u shtirur se nuk vënë re se ka qendra të tjera të forta në botë”. Dhe përsëri: “Asgjë nuk është e përjetshme” dhe “asgjë nuk do të jetë si më parë”.

Putin akuzoi vendet perëndimore se “minojnë qëllimisht themelet ndërkombëtare në emër të iluzioneve të tyre gjeopolitike”, duke nënvizuar se në këtë mënyrë u krijuan kushtet për një botë të paqëndrueshme.

Sipas presidentit rus, Shtetet e Bashkuara, pasi “shpallën fitoren në Luftën e Ftohtë”, i sanksionuan interesat e tyre si “të shenjta” dhe u përpoqën me çdo mjet t’i mbrojnë ato. Por tani situata po ndryshon:

“Në dekadat e fundit, qendrat e reja të pushtetit janë formuar në planet dhe po krijohen gjithnjë e më qartë, secila prej tyre zhvillon sistemet e veta politike dhe institucionet publike dhe modelet e veta të rritjes ekonomike dhe, natyrisht, të gjithë kanë të drejtë për t’u mbrojtur, për të garantuar sovranitetin kombëtar”.

Këto ndryshime do të kishin ndodhur në politikën ndërkombëtare si dhe në ekonomi. Për më tepër, ekonomia botërore po vuan nga pasojat e luftës, si për eksportin e lëndëve të para, ashtu edhe për sanksionet.

Ata kundër Moskës, sipas Putinit, “janë të marrë dhe të pamatur”. Presidenti rus vazhdoi: “Qëllimi i tyre është të shtypin ekonominë e Federatës Ruse, por ata nuk kanë funksionuar. Në të vërtetë, politikanët europianë tashmë me duart e tyre i kanë shkaktuar dëme serioze ekonomisë së tyre”.

Në veçanti, për sa i përket BE-së: sipas Putinit, Brukseli me masat e marra do të kishte kontribuar në shkallën e lartë të inflacionit, duke ndikuar kështu në biznesin europian dhe duke e bërë atë të humbiste sovranitetin e tij.

Kreu i Kremlinit është i bindur se edhe Bashkimi Europian mund të humbasë mbi 400 miliardë dollarë për shkak të sanksioneve kundër Rusisë. Dhe jo të gjithë do të humbasin në të njëjtën mënyrë:

“Pabarazia midis vendeve europiane vetëm do të rritet”, tha ai. Dhe rritja e varfërisë në disa pjesë të Europës “do të çojë në një valë radikalizmi”.