Cila pjesë e trurit tonë ndikon në kujtesën tonë? Pse dhe me çfarë kriteresh disa prej tyre etiketohen nga nënndërgjegjja jonë si të shëmtuara dhe negative, ndërsa të tjerat ngjallin ndjenja pozitive me kalimin e kohës? Kërkimet e kryera në Institutin Salk në La Jolla, Kaliforni, janë përpjekur t’u japin një përgjigje konkrete këtyre pyetjeve.

Zbulimi shkencor është publikuar në revistën “Nature” dhe konfirmon ekzistencën e një molekule në trupin tonë, detyra e së cilës është pikërisht të vendosë nëse kujtimet tona janë të mira apo të këqija. Kjo është neurotensina, një peptid i izoluar për herë të parë në 1973.

Ky neurotransmetues shumë i rëndësishëm (i cili është i bazuar në tru) dhe zbulimi i funksionit të tij specifik, përfaqësojnë një hap përpara drejt terapive të reja të mundshme për të luftuar problemet e përhapura si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e stresit post-traumatik.

Por si arritëm të kuptojmë se neurotensina është përgjegjëse për katalogimin e kujtimeve? Ekipi i studiuesve, i udhëhequr nga Hao Li, kreu studimet e tyre laboratorike në disa minj, nga të cilët eliminuan në mënyrë selektive (përmes një teknike komplekse gjenetike të quajtur Crispr) neurotensin.

“Ne kemi fituar kontrollin mbi procesin themelor biologjik, i cili na lejon të kujtojmë nëse diçka është e mirë apo e keqe. Është thelbësore për përvojën tonë të jetës dhe ideja që mund të reduktohet në një molekulë të vetme është tepër emocionuese”, tha një nga studiuesit, Kay Tye.

Rezultatet e marra treguan se minjtë – të privuar nga neurotensina – nuk dinin më të lidhnin ndjesi pozitive me kujtimet e tyre.

Për ato negative, megjithatë, aftësitë u rritën automatikisht. Për më tepër, një nivel i lartë i neurotenzinës do të nxiste të mësuarit dhe do të lehtësonte lidhjen me ndjenjat dhe mendimet negative.

Studimi zbuloi kështu se si truri është i prirur natyrshëm të ketë frikë dhe se si kjo mund të ndikojë ndryshe në kujtimet falë niveleve të neurotensinës.

Prej disa kohësh dihet, për shembull, sesi truri na tregon nëse jemi të dashuruar, duke dërguar sinjale “spiun”. Ky zbulim i mëtejshëm do të shpjegonte gjithashtu pse disa njerëz priren të mbajnë më shumë kujtime negative sesa ato pozitive, dhe anasjelltas.