Shumë pak njerëz përpiqen të ecin nëpër të gjithë botën, akoma më pak arrijnë ta përfundojnë udhëtimin. Më 21 maj 2022, Tom Turcich nga New Jersey u bë personi i 10-të në librin e rekordeve që e arriti këtë gjë të jashtëzakonshme, ndërsa shoqëruesi i tij me katër këmbë Savannah ishte qeni i parë që e bëri këtë.

Dyshja u përshëndet me një festë të madhe të kthimit në shtëpi, ku morën pjesë shumë nga miqtë dhe familja e Turcich, së bashku me dashamirës. Momenti triumfues solli fundin e një udhëtimi 7-vjeçar, me 48.000 kilometra të përshkuara.

“Ishte shumë surreale, – thotë Turcich për “CNN Travel” nga shtëpia e prindërve të tij në Haddon Township. – E kisha imagjinuar për një kohë të gjatë se si do të ishte fundi. Dhe kur ndodhi, kishte njerëz të rreshtuar në rrugë dhe duke ecur me mua. Emocioni kryesor ishte thjesht lehtësimi. Kjo sfidë kishte dominuar jetën time për 15 vite, isha në gjendje ta përmbushja, diçka e mahnitshme”.

Frymëzimi për udhëtimin erdhi nga një humbje e trishtë në vitin 2006, kur shoqja e tij Ann Marie vdiq në një aksident me ‘ski jet’ në moshën 17-vjeçare. “Vdekja e saj ishte shumë ndikuese për mua, – shpjegon Turcich. – Ajo ishte një person shumë më i mirë se unë. U zhyta në makthin se dhe unë do të vdisja (një ditë), se kjo mund të ndodhte në çdo moment. Dhe fillova të rivlerësoja gjithçka”.

Turcich, i cili është krahasuar me “Forrest Gump”, personazhin e Tom Hanks që luajti në filmin e vitit 1994, kuptoi se kishte nevojë për udhëtime dhe aventura në jetën e tij, ndaj filloi të shikonte të gjitha mënyrat e ndryshme që mundte. Pasi lexoi për Steven Newman, i renditur nga rekordet botërore “Guinness” si personi i parë që shëtiti nëpër botë, dhe aventurierin Karl Bushby, i cili ka qarkulluar rreth globit në këmbë që nga viti 1998, Turcich vendosi ta ndërmerrte vetë këtë sfidë.

“Ecja dukej si mënyra më e mirë për të kuptuar botën dhe për ta provuar veten në vende të reja, – thotë ai. – Unë nuk doja vetëm të shkoja në Paris dhe Machu Picchu, doja vërtet të kuptoja botën dhe të shihja se si njerëzit po jetonin çdo ditë”. Pasi u angazhua për misionin e madh, Turcich filloi të planifikonte rrugëntimin, duke u përpjekur gjithashtu të mblidhte fonde. Pak para se të startonte sfidën në fjalë, pronari i një kompanie lokale mësoi për planet e tij dhe vendosi ta sponsorizonte udhëtimin e tij.

Ai u nis më 2 prill 2015, pak para ditëlindjes së tij të 26-të, duke shtyrë një karrocë fëmijësh që përmbante pajisje për ecje, një çantë gjumi, një laptop, një aparat fotografik DSLR dhe një arkë plastike, të cilën e përdori për të ruajtur ushqimin e tij. Turcich thotë se e krijoi rrugën e tij me dy faktorë kryesorë në mendje: donte të prekte çdo kontinent dhe të udhëtonte me sa më pak probleme burokratike: “Mendova se do të duheshin rreth 5 vite e gjysmë. Kjo llogari doli mjaft e saktë”.

I gjithë udhëtimi përfundoi duke zgjatur 7 vite, kryesisht për shkak të dy vonesave të konsiderueshme. E para ndodhi kur Turcich u sëmur me një infeksion bakterial, nga i cili iu deshën disa muaj për t’u shëruar, dhe e dyta ishte për shkak të pandemisë Covid-19. Ai në mënyrë të pashmangshme përjetoi ulje dhe ngritje të ndryshme gjatë rrugës, duke përfshirë të ftuarit në dasma, si në Turqi, ashtu edhe në Uzbekistan.

Para se ta fillonte këtë sfidë, Turcich kishte bërë shumë pak udhëtime. Përveçse vizitoi Anglinë, Irlandën dhe Uellsin gjatë një udhëtimi në shkollë të mesme, gjithashtu kishte pushuar në Kanada dhe Republikën Domenikane.

Ai gjithashtu nuk kishte shumë përvojë në këtë disiplinë fizike, megjithëse më parë kishte përfunduar një ecje 10-ditore me një mik, si dhe disa ecje në fundjavë. Faza e parë e udhëtimit e pa atë në këmbë nga Nju Xhersi në Panama. Rreth katër muaj më vonë, Turcich fitoi shoqëruesin e tij, qenushin Savannah, nga një strehë kafshësh në Austin, Teksas.

Ndërsa fillimisht nuk kishte ndërmend të merrte me vete një qen, Turcich vuajti për t’u çlodhur, veçanërisht gjatë natës (kur flinte). Ai zgjohej vazhdimisht gjatë natës, i fiksuar se diçka po vinte drejt tij. Duke pasur një mik me gëzof pranë tij, i cili mund t’i bënte roje gjatë natës, do të bënte të gjithë ndryshimin. Dhe kjo rezultoi e vërtetë. “Ka qenë një shok fantastik, – thotë ai për Savannah. – Është bukur të kesh dikë me të cilin të ndash disa momente”.

Turcich e dokumentoi krejt udhëtimin e tij në Instagram dhe blogun personal “The World Walk”. Edhe pse pranon se filloi të pyeste veten nëse mund të vazhdonte, kurrë nuk e kishte menduar seriozisht të hiqte dorë:

“Patjetër që kishte raste kur nuk isha vërtet në situatë të mirë. Dhe mendoja: çfarë po bëj këtu? Mund të isha me familjen dhe miqtë e mi, ndërsa në vend të kësaj po ecja nëpër shiun e ftohtë në Gjermani. Sidoqoftë, nuk e mendova të ndalesha ndonjëherë. Kisha menduar për sfidën 8 vite para se ta filloja, kështu që do të ishte thjesht e çmendur të hiqja dorë pas disa vitesh”.

Nga të gjitha vendet që përshkoi gjatë udhëtimit, Turcich thotë se Wyoming, shteti më pak i populluar i SHBA-së, ishte më i vështiri. Gjatë shëtitjes botërore, dyshja përshkoi 6 kontinente dhe 38 vende së bashku, duke kaluar shumicën e netëve në kamping.