Lady Gaga ka lajmëruar këngën e saj të re me titull “Hold My Hand”, që do të jetë kolona zanore e filmit të ru të shumëpritur “Top Gun: Maverick”, që do të dalë në kinema më 21 dhe 22 maj.

“Kjo këngë është një letër dashurie për botën gjatë dhe pas një periudhe shumë të vështirë. Prej shumë kohësh kam dashur që të dëgjohej”, ka shpjeguar në rrjetet sociale këngëtarja e njohur.

Kënga, e prodhuar nga Lady Gaga dhe BloodPop me ndihmën e Benjamin Rice, do të dalë në të gjithë botën më 3 maj. E shkruar për filmin, do të mund të dëgjohet edhe brenda filmit.

“Kur kam shkruar këtë këngë për ‘Top Gun: Maverick’, as që i kam kuptuar nivelet e ndryshme që kalon zemra e filmit, psikika ime dhe natyra e botës në të cilën jetojmë.

“Doja ta transformoja muzikën në një këngë në të cilën ndajmë nevojën tonë të madhe për të qenë të kuptuar dhe për të kërkuar të kuptohemi njëri me tjetrin”, ka thënë Lady Gaga në një postim të publikuar në profilin e saj në Instagram.

“Hold My Hand” do të jetë rikthimi i madh i Lady Gaga si autore dhe producente e kolonave zanore pas suksesit të “A Star is Born” në 2018-ën për të cilën këngëtarja ka fituar një Çmim Oscar, dy Grammy Awards, një Bafta, një Golden Globe dhe një Critics’ Choice Award.

“Top Gun: Maverick” do të prezantohet si një film jashtë konkursit në Festivalin e Kanës (17-28 maj) dhe ka për protagonist Togerin Pete “Maverick” Mitchell (Tom Cruise), mes aviatorëve më të mirë të Marinës, që pas mbi 30 vitesh shërbim është akoma në vendin e vetëm ku do të donte të ishte.

I shmanget rritjes në detyrë që nuk do ta lejonte më të fluturonte dhe shkon përsëri përtej çdo limit, duke kolauduar me kurajë avionë të rinj.

I thirrur për të stërvitur një skuadër speciale nxënësish të akademisë Top Gun për një mision sekret, Maverick do të takohet me Togerin Bradley Bradshaë (Miles Teller), emri i luftës ‘Rooster’, djali i shokut të tij të vjetër të fluturimit Nick Bradshaw ‘Goose’.