Pak kohë më parë, ylli i muzikës Justin Bieber tregoi për të gjithë fansat e tij se ishte diagnostifikuar me sindromën ‘Ramsay Hunt’. Kjo sindromë shkaktonte një paralizë në fytyrë. Por duket se së fundmi, ai është më mirë dhe ndihet gati për t’u rikthyer në turneun e tij botëror.

Shumë koncerte në Amerikën e Veriut u anuluan për shkak të problemit shëndetësor që po kalon ylli i popit botëror. Së fundmi, “Variety” raporton se Justin Bieber është gati për rikthimin e tij të madh.

Pavarësisht se ai nuk është rikuperuar plotësisht, Justin Bieber beson se turneu mund të rinisë nga 31 korriku. Disa javë më parë ai publikoi një video shokuese për të gjithë ndjekësit e tij në botë, që shikuan paralizën në fytyrën e tij.

Turi botëror i këngëtarit, me 75 koncerte në total do të rifillojë me performancën e tij në Lucca Summer Festival në Itali dhe më pas do të jetë edhe në 5 data të tjera po në Europë gjatë muajit gusht. Në shtator ai do të shkojë në Amerikën e Jugut dhe koncertet do të vijojnë me Afrikën e Jugut, Lindjen e Mesme, Azinë, Australinë dhe Zelandën e Re.

“Kjo është shumë serioze, siç mund ta shihni. Do të doja të mos ishte kështu, por, padyshim, trupi im më thotë se duhet të ngadalësoj. “Shpresoj që ju të kuptoni. Unë do ta përdor këtë kohë vetëm për të pushuar dhe për t’u çlodhur dhe për t’u rikthyer në njëqind për qind në mënyrë që të mund të bëj atë që kam lindur për të bërë.- tha ai në videon e tij pak javë më parë.

Mbështetja nga fansat për të ka qenë e madhe, teksa kjo duket edhe nga mijëra komentet në postimin e tij.