Duke filluar nga muaji janar i vitit 2023, duket se rregullat e imigracionit do të zbuten në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo do të ndodhë padiskutim, sepse është edhe premtim elektoral.

Do ndodhë si pjesë e misionit të kryeministres Liz Truss për të lehtësuar mungesat e fuqisë punëtore dhe për të nxitur rritjen e sektorëve të ekonomisë në ishullin britanik, aty ku ka realisht probleme.

Fituesja e zgjedhjeve, Truss, është përballur me kërkesat e industrive angleze për më shumë punëtorë nga vendet e huaja, për t’u dhënë viza për të emigruar në Angli, pasi mungesa e fuqisë punëtore është një nga shqetësimet kryesore të shprehura nga punëdhënësit në një sërë sektorësh.

Gjatë fushatës së saj për udhëheqjen konservatore, Truss premtoi të trajtojë mungesat e fuqisë punëtore në bujqësi, të shkaktuara pjesërisht nga kufizimet e lirisë së lëvizjes pas Brexit dhe të theksuara nga pandemia.

Një raport i fundit i qeverisë paralajmëroi se mungesa të tilla po ndikonin negativisht në sektorin e ushqimit dhe bujqësisë.

Qeveria pritet të përcaktojë planin e saj për reformën e migracionit më vonë këtë vit. Presim ndonjë lajm të mirë edhe për shqiptarët. Duhet një reagim nga Anglia.