‘Mjeshtri i Madh’ i violinës shqiptare, Hetem Qerimaj është ndarë nga jeta në moshë 88-vjeçare.

Lajmin e trishtë e bëri me dije djali i tij, Fatos Qerimaj, gjithashtu një violinist i njohur në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Fatosi shkruan ”Te nderuar miq, me dhimbje ju njoftoj ndarjen nga kjo jeta te babit tim te dashur Hetem Qerimaj. Zoti e pranofte ne parajse”.

Hetem Qerimaj ishte një nga violinistët më të mirë shqiptarë, teksa përgjatë karrierës së tij thuajse 70-vjeçare, ai ka krijuar disa kaba për violinë.

Artisti i madh ka qenë pjesë e dhjetëra turneve në Europë e në botë, duke spikatur me finesën e tij dhe muzikën e veçantë që sillte për të gjithë.

Violinisti i madh ishte vlerësuar me disa tituj në Shqipëri si “Naim Frashëri” i Klasit III, “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi i Këlcyrës”, “Mjeshtër i Madh” marrë në 2005 si dhe shumë tituj të tjerë.