Trajneri i Chelsea, Frank Lampard, iu bëri thirrje lojtarëve të tij të mos panikosen pas humbjes 3-1 në shtëpi, ndaj Manchester City. Lampard pasqyroi më pas udhëtimin në të cilin ndodhet skuadra e tij dhe cili duhet të jetë synimi afatshkurtër. Së pari përcaktoi atë që e shqetësonte më shumë për një ditë ndëshkimi si e djeshmja: “Nga minuta e 15-të e tutje lejuam që City të merrte kontrollin e lojës, të gjente hapësira midis linjave dhe të luante me cilësinë e lojtarëve që ka. Të dy golat e parë erdhën shpejt, ndaj qe e vështirë të ruhej optimizmi. Për pjesën tjetër të ndeshjes, lojtarët e patën të vështirë, për shkak të niveleve që City po tregonte me dhe pa top.

U thashë lojtarëve në gjysmë të lojës: Unë i kam kaluar kësi ditësh. Pësova ulje të tilla, por ngrita një trofe në fund të vitit. Mbaj mend që u mundëm në Middlesbrough 2-0 ose 3-0, kur ata kishin Viduka dhe Yakubu në sulm. Ne ishim ulur në dhomën e zhveshjes goxha të demoralizuar. U kthyem mbrapa, sepse kishim një frymë në dhomën e zhveshjes, kishim cilësi te lojtarët. Ne jemi në një periudhë tjetër tani, por çdo lojtar në futboll do të ketë momente të tilla”.