Joan Laporta ka shprehur shpresën e tij se Lionel Messi do të luajë në “Camp Nou” e ri, ndërsa këmbëngul se mbajtja e superyllit të Barcelonës do të jetë “përparësia” e tij kryesore, nëse rizgjidhet president. Spekulimet mbi të ardhmen e Messit janë të ndezura tani që atij i mbeten vetëm gjashtë muaj në kontratën aktuale. 33-vjeçari kërkoi largimin verën e kaluar, por e ndryshoi vendimin e tij, pasi u kërcënua me veprime ligjore nga Barça dhe La Liga.

Sidoqoftë, tani është i lirë të flasë me ndonjë pretendent të mundshëm, përpara një transferimi të mundshëm falas në fund të sezonit. Laporta ishte njeriu që i dha argjentinasit startin te Barça, në vitin 2004. Ai do të jetë në zgjedhje përsëri këtë muaj, me qëllimin kryesor për ta mbajtur “hajmalinë” argjentinase në “Camp Nou”. Planet për të zhvilluar një kapacitet të përmirësuar prej 105.000 vendesh të stadiumit katalanas tashmë janë hartuar dhe projekti mund të përfundojë në kohë për festimet e 125-vjetorit të klubit, në 4 vite.

Laporta dëshiron që Messi të jetë në qendër të projektit të tij, duke nisur një epokë të re: “Do të doja të mund ta festonim 125-vjetorin e klubit në “Camp Nou” e ri dhe me Leon pjesë e jona. Çështja e stadiumit nuk është e lehtë, sepse duhen dy vjet për ta ndërtuar atë. Çështja e Leos është më e lehtë se stadiumi. Do të ishte shumë mirë të shkoja në këtë përvjetor me Messin, do të ishte “qershia mbi tortë”. A jam unë, njeriu më i vendosur për ta bindur Messin të mbetet te Barça? Për shkak se them të vërtetën, jam kandidati për president me më shumë përvojë dhe vendosmëri, si dhe me më shumë kredibilitet në sytë e tij. Ai më mbush me krenari kur më thotë se gjithçka që i kisha premtuar është përmbushur.

Kjo më jep një pozicion dhe, nëse bëhem president i Barcelonës, do të shoh se çfarë mund t’i ofroj atij brenda mundësive të klubit në aspektin e financave dhe asaj që i intereson Leos nga perspektiva sportive. Ai dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve përsëri me Barçën dhe ne duhet ta bëjmë kapitenin të shohë që kjo do të jetë e mundur. Lojtarë të shkëlqyeshëm kanë kaluar nëpër Barcelonë, më të mirët në kohën e tyre, por Leo është i veçantë. Ai është më i miri në botë dhe me siguri në histori, prandaj vlerësohet kaq shumë”.