Ish-ndërkombëtari i Francës, Jean-Michel Larque, ka kritikuar Kylian Mbappe për paraqitjet e tij të fundit, duke këmbëngulur se fituesi i Kupës së Botës është më i interesuar të poshtërojë kundërshtarët e tij sesa të luajë një futboll produktiv.

Larque, i cili përfaqësoi PSG-në si lojtar dhe si trajner, ka bërë thirrje që të bëhen ndryshime rrënjësore në lojën e Mbappe, nëse ai do të vazhdojë të llogaritet ndër lojtarët më të mirë në futbollin botëror: “Kylian Mbappe nuk po luan si duhet tani te PSG. Unë nuk do të hap një vrimë në kafkën e tij dhe të zbuloj se çfarë ka brenda, por po i komplikon gjërat. Ai po ndërlikon gjithçka që bën. Djaloshi ka nevojë për një detoksifikim, një kurë për futbollin e tij, i cili është ndotur plotësisht me lëvizje të panevojshme. Ajo që i jep forcë është shpejtësia e tij, por ne nuk po e shohim më këtë”.

Kjo kurë mund të vijë nga Pochettino, sipas Larque, i cili shpreson që trajneri argjentinas të ketë më shumë ndikim te Mbappe sesa paraardhësi i tij. Pra, pret që ta kthejë 22-vjeçarin në më të mirën e tij: “Unë jam duke pritur të shoh nëse Pochettino ka më shumë guxim se Tuchel, që ta zotërojë plotësisht Mbappe. Nuk i di sekretet e vogla të kampit stërvitor atje, nuk e di nëse ishte Tuchel, ai që komandoi Mbappe apo e kundërta.

Kylian duhet të pastrojë mendjen e tij dhe të shikojë disa video ku luan. Sot e dëshiron topin në këmbët e tij në mënyrë që të mund të përqeshë kundërshtarin e tij. Padyshim që me shpërthimin e tij të shpejtësisë mund të kalojë kundërshtarët, por do ta humbasë topin më pas. Nuk i kam statistikat, por kundër OM humbi një numër të pabesueshëm të topave”.