Ka mbetur vetëm një javë nga festivali “Sunny Hill” që do të zhvillohet në Prishtinë përgjatë 4 ditëve, në data 4-5-6-7 gusht. Ky festival rikthehet sërish këtë vit pas shkëputjes për shkak të Covid-19.

Sunny Hill Festival do të sjellë në Prishtinë një sërë artistësh të njohur botërorë, nga Dua Lipa, J Balvin e Mahmood, te shumë artistë shqiptarë si Ylli Limani, Ledri Vula, Ghetto Geasy etj.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa ka folur për këtë festival në vlogun e saj, “Service95”, ndërsa e ka përshkruar si një ëndërr të bërë tashmë realitet krijimin e festivalit.

Me titullin “Letër dashurie për vendin tim’’, Dua tregon se si nisi ideja për të pasur një festival të tillë, dëshira për të parë artistët e saj të preferuar teksa këndojnë në Kosovë e dëshira për t’u rikthyer në vendlindje.

“Jam shumë e lumtur që festivali “Sunny Hill” do të rikthehet përsëri këtë vit në Prishtinë, Kosovë. Kur jetoja në Kosovë, nga mosha 11 deri në 15 vjeç, ëndërroja që një ditë të shikoja muzikantët e mi të preferuar të interpretonin live në qytetin tim, dhe kështu nga dëshira ime dhe e babait tim, lindi pikërisht festivali ynë. Jam jashtëzakonisht krenare për ekipin që na ndihmon me organizimin e festivalit tonë, veçanërisht pasi eventi i vjen në ndihmë edhe fondacionit tonë “Sunny Hill”, i cili mbështet organizata të ndryshme kosovare, veçanërisht ato në fushën e artit dhe të kulturës.

Sigurisht, është gjithmonë gëzim i madh të rikthehem në Prishtinë gjatë verës, dhe në festivalin që do të zgjasë katër ditë këtë vit do të mund të shihni kaq shumë artistë të jashtëzakonshëm. Nëse do të vini në “Sunny Hill”, këtu janë disa nga vendet ku duhet të provoni ushqimet e tyre dhe të argëtoheni në qytet. Shihemi atje!”, – shkruan Dua Lipa.

Sakaq, “Sunny Hill Festival” do të organizohet këtë vit edhe në Tiranë në data 26-27-28 gusht, ndërsa mbeten për t’u zbuluar edhe këngëtarët.