Goga Basket siguron gjysmëfinalet e Ligës Unike në basketboll, pas fitores 76-67 ndaj Tiranës në çerekfinale, ndeshje derbi mes dy skuadrave shqiptare që u luajt në Suharekë (Kosovë). Ndeshje e dominuar dhe fituar me meritë nga durrsakët, që i bashkohen Suharekës dhe Pejës, të kualifikuara më herët. Ndërkohë që, emri i ekipit të katërt gjysmëfinalist do të dalë nga sfida mes Sigal Prishtina dhe Ylli.

Ky është edicioni i parë i Ligës Unike në basketboll për meshkuj, event ku marrin pjesë ekipe nga Shqipëria e Kosova. Pas përfundimit të ndeshjeve çerekfinale, mesjavën e ardhshme, në Durrës, do të luhen gjysmëfinalet dhe finalet e këtij eventi. Në gjysmëfinale, Suhareka do të luajë ndaj Pejës, ndërsa Goga Basket do të përballet me skuadrën fituese që del nga sfida mes Sigal Prishtina dhe Ylli.