Ndërsa rastet e lisë së majmunëve po rriten globalisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje grupit aktualisht më të prekur nga virusi, meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, të kufizojnë partnerët e tyre seksualë.

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili shpalli linë e majmunëve një emergjencë shëndetësore globale.

Një rritje e infeksioneve nga lija e majmunëve është raportuar që nga fillimi i majit jashtë vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ku sëmundja ka qenë prej kohësh endemike.

Tedros tha se më shumë se 18,000 raste të lisë së majmunëve janë raportuar tani në OBSH nga 78 vende, me 70 për qind të rasteve të raportuara në Evropë dhe 25 për qind në Amerikë.

Pesë vdekje janë raportuar që nga maji, dhe afërsisht 10 për qind e të infektuarve përfundojnë në spital për të menaxhuar dhimbjen, tha ai.

“Çdokush” mund të sëmuret nga lija e majmunit

Rreth 98 për qind e rasteve kanë ndodhur te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.

Një studim i publikuar në Neë England Journal of Medicine javën e kaluar zbuloi se 98 për qind e njerëzve të infektuar ishin meshkuj homoseksualë ose biseksualë dhe 95 për qind e rasteve transmetoheshin përmes aktivitetit seksual.

Por ekspertët kanë thënë se transmetimi i sëmundjes, duket se ndodh kryesisht gjatë kontaktit të ngushtë fizik dhe lija e majmunëve deri më tani nuk është etiketuar si një infeksion seksualisht i transmetueshëm (IST).

Ekspertët gjithashtu kanë paralajmëruar të mos mendohet se vetëm një komunitet mund të preket nga sëmundja, duke theksuar se ajo përhapet përmes kontaktit të rregullt lëkurë me lëkurë, dhe gjithashtu përmes pikave ose prekjes së shtratit ose peshqirëve të kontaminuar në një mjedis shtëpiak, shkruan Al Jazeera.

“Çdokush i ekspozuar mund të sëmuret nga lija e majmunit”, tha Tedros, duke u kërkuar vendeve që të “marrin masa” për të reduktuar rrezikun e transmetimit te grupet e tjera të cenueshme, duke përfshirë fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Asnjë vaksinim masiv

OBSH po rekomandon vaksinim për ata që janë të ekspozuar ndaj dikujt me lisë majmuni ose për ata me rrezik të lartë ekspozimi, duke përfshirë punonjësit e shëndetësisë dhe ata me partnerë të shumtë seksualë.

“Në këtë kohë, ne nuk rekomandojmë vaksinimin masiv kundër lisë së majmunëve,” tha Tedros.

Tedros gjithashtu theksoi se “vaksinimi nuk do të japë mbrojtje të menjëhershme kundër infeksionit ose sëmundjes dhe mund të zgjasë disa javë”, u tha gazetarëve se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksioni ishte “të reduktoni rrezikun e ekspozimit”.

“Për meshkujt që bëjnë seks me meshkuj, kjo përfshin, për momentin, zvogëlimin e numrit të partnerëve tuaj seksualë dhe rishqyrtimin e seksit me partnerë të rinj”, tha ai…