Elton Ilirjani është një nga biznesmenët më të njohur shqiptarë, e njëkohësisht një nga njerëzit më të komentuar nga publiku për shkak të prirjeve të tij seksuale dhe jo vetëm.

Prej disa vitesh ai ka treguar se është homoseksual dhe mbron të drejtat e komunitetit LGBTQ+, jo vetëm në rrjetet e tij sociale, por edhe në televizion, ku shpeshherë spikat për deklaratat e e tij të forta.

Lajmet e fundit që kanë nxjerrë shkencëtarët se lija e majmunit po përhapet më shumë te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj duket se ka shqetësuar Ilirjanin, i cili ka reaguar në rrjetet e tij sociale.

Ai e konsideron këtë teori të shkencëtarëve si homofobike, duke ushqyer urrejtje ndaj komunitetit që ai mbështet dhe thotë se viruset nuk kanë lidhje me njerëzit apo kafshët.

“Bota është çmendur dhe për këtë gjë nuk ka dyshime! Nuk ka virus, baktere apo kancer që janë të lidhura me asnjë grup social njerëzish apo kafshësh. Gjithashtu shkencëtarët dhe doktorët pa vetëdije! Ata mbase nuk ndihen ashtu por termi “meshkuj bëjnë s*ks me meshkuj” është jo korrekt dhe aspak logjike!! Është homofobike në çdo sens dhe duke ushqyer urrejtje ndaj LGBT!” – shkruan ai në Instastory.

Biznesmeni ka bërë një shkrim të gjatë rreth këtij diskutimi, ndërsa jep edhe një mesazh për të gjithë anëtarët e komunitetit LGBTQ+, duke i këshilluar ta shijojnë dhe ta jetojnë jetën si të duan.