Ish-legjenda e Tiranës dhe Kombëtares, Agustin Kol, në një intervistë për Sport Ekspres ka folur gjatë për Shqipërinë, një ditë para ndeshjes me Izraelin.

Ndër të tjera, Kola kritikon ish-trajnerët e Shqipërisë që sipas tej e teprojnë me qëndrimet e tyre ndaj Rejës, ndërkohë kur e kanë drejtuar vetë Kombëtaren, renditej në vendet e fundit.

“Reja ka shumë eksperiencë mbi shpatulla, nuk duhet të kemi diskutim për këtë. A e kemi bërë historinë me De Biazin? Funksionojnë ndryshe trajnerët e huaj, nuk funksionojnë si shqiptarët. Thonë në media se përse nuk ka marrë Reja lojtarë nga Superiorja te Kombëtarja. Më thoni pak mua tani, kë lojtar la jashtë Reja nga Superiorja që e paska merituar? La jashtë futbollistët që bëjnë stërvitje vetëm dy orë në ditë?”, shprehet Kola.

“Trajnerët në Shqipëri funksionojnë zakonisht dhe fusin lojtarët nëpërmjet njohjeve të tyre, miqësive që kanë. I ke gjithmonë nga 4-5 trajnerë që qarkullojnë kudo, marrin një ekip e nxjerrin kampion, shkojnë të rrëzojnë një tjetër dhe të marrin një tjetër. Kjo është historia jonë që po na lë mbrapa” shton Kola.

“Sa herë keni dëgjuar këta trajnerët shqiptarë duke folur për Kombëtaren tani. Pa më thoni pak kur e kishin këta Shqipërinë në drejtim, se disa prej tyre e kanë pasur, çfarë vendesh ka zënë Shqipëria atëherë?

Prandaj nuk duhet të shkojmë më gjatë te kjo temë. E kanë pasur dhe kemi qenë në vendet e fundit të renditjes. Nuk mund të nisin këta tani dhe të kritikojnë këtë Kombëtare për rezultatet që arrin”, tha ndër të tjera Agustin Kola.