Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, ka kërkuar që ekipi i tij të arrijë në gjysmëfinale të Kampionatit Europian të vitit të ardhshëm, pavarësisht se barazoi mbrëmë 3-3 në shtëpi, kundër Zvicrës, në kuadrin e Ligës së Kombeve. Low ishte i zhgënjyer me mënyrën se si ekipi i tij e filloi lojën, por u befasua nga reagimi për të fituar një pikë nga një situatë e rëndë:

“Ishte një lojë me intensitet shumë të lartë Të dyja palët morën përsipër shumë rreziqe, por kishte edhe disa gabime. Ne e filluam ndeshjen dobët, por treguam karakter të vërtetë për t’u rikthyer, gjë që ishte mjaft e mirë për t’u parë. Megjithatë, bëmë një numër gabimesh në mbrojtje. Plani ynë ishte të luanim me një element të caktuar të rrezikut, por duhet t’i rregullojmë ato gabime.

Ne luftuam shumë për t’u rikthyer në lojë, mund të mësosh shumë nga pengesat. Duhet të përmirësojmë komunikimin dhe udhëzimet tona. Kur të shkojmë në finalet e Europianit, qëllimi ynë është të arrijmë sa më shumë të jetë e mundur. Shkuarja në gjysmëfinale është qëllimi ynë minimal. Ky ekip ka shumë potencial. Ne duhet të korrigjojmë disa gjëra, pastaj mendoj se ka shumë për t’u entuziasmuar”.

Që kur rifilloi futbolli ndërkombëtar në shtator, fitorja e vetme e Gjermanisë ka qenë 2-1, të shtunën e kaluar në Ligën e Kombeve, kundër Ukrainës. Të katër ndeshjet e tjera kanë përfunduar në barazim; 1-1 kundër Spanjës (në shtëpi) dhe Zvicrës (jashtë), 3-3 ndaj Turqisë (në shtëpi) dhe Zvicrës (në shtëpi).