E gjithë franca bëhet zonë e kuqe. Lajmin e konfirmoi presidenti Emmanuel Macron, gjatë një dalje televizive, drejtuar vendit. Rregullat e forta që deri më tani ishin vendosur në disa zona të Parisit, tashmë janë të shpërndara në të gjithë vendin, duke nisur nga 1 prilli.

Ndër masat e marra përfshihet mbyllja e të gjitha dyqaneve jo-esenciale dhe ndalim qarkullimi nga ora 19:00. Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për 3 javë. Java e parë do të kryhet mësim online, ndërsa dy javët e tjera do të jenë pushim.

Më datën 26 prill parashikohet nisja e mësimit për shkollën fillore, ndërsa ajo e mesme dhe universiteti do të jetë online. Më pas, nga 3 maji të gjithë do të rikthehen në klasa.

Macron ka bërë thirrje për një mobilizim gjeneral të popullsisë gjatë muajit prill. Sipas tij, këto 30 ditë do të jenë një betejë e fortë ndaj pandemisë Covid-19. Ai u premtoi francezëve rihapje graduale nga mesi i muajit maj dhe më pas një hapje e përgjithshme, por duke zbatuar një seri masash.

Nga data 16 prill do të nisë vaksinimi i presonave mbi 60 vjeç dhe nga 15 maji i atyre mbi 50 vjeç. Franca shpreson që deri në fund të verës të jenë vaksinuar të gjithë personat mbi 18 vjeç.