Një tren special dhe i blinduar ka sjellë sot në Kiev të Ukrainës 3 krerët e shteteve të fuqishme europiane: Presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin italian Mario Draghi. Ata do të takojnë presidentin ukrainas Volodymir Zelensky.

Masat e sigurisë kanë qenë maksimale për këtë vizitë të lajmëruar që më parë, si nga forcat e ushtrisë ukrainase ashtu dhe nga forcat e inteligjencës së 3 shteteve europiane. Tre liderët më të fuqishëm të Bashkimit Europian po punojnë prej kohësh për një front të bashkuar.

Kjo vizitë po bëhet një ditë para se Komisioni Europian të vendosë të bëjë një rekomandim mbi statusin e Ukrainës si një kandidate për anëtarësim në BE. Presidenti Macron tha: “Ne jemi në një pikë kur duhet të dërgojmë sinjale të qarta politike ndaj Ukrainës dhe popullit të saj, kur ajo po reziston heroikisht”.

Gjatë vizitës së krerëve të 3 shteteve europiane, në Kiev kanë rënë sirenat e alarmit për një sulm të mundshëm nga ajri të ushtrisë ruse. Macron, Scholz e Draghi kanë shkuar edhe në qytetin e Irpin, ku kanë parë nga afër masakrat e ushtrisë ruse. Gjatë gjithë kohës ata shoqëroheshin nga trupa të shuma ushtarake.