Javën që kaloi, Britney Spears u kthye në kryelajm. Këngëtarja është rimartuar, këtë herë me Sam Ashgarin. Të dy filluan të takoheshin në vitin 2017, në shtator 2021 u fejuan dhe pak ditë më parë thanë “po” në altar.
Ceremonia ishte e mbushur me personazhe të famshëm. Dasma u zhvillua në shtëpinë që të dy ndajnë në “Thousand Oaks”, Los Angeles.
Një nga momentet që do të mbetet në kujtesën e kësaj lidhjeje do të jetë se aty është shfaqur ish-bashkëshorti i Britney Spears, Jason Alexander, duke thirrur: “Britney është gruaja ime e parë dhe e vetme!”
Policia duhej të shkonte për të zgjidhur sherrin. Një tjetër detaj që do të mbetet në kujtesën e dasmës së artistes dhe Ashgarit ishte ribashkimi i Britney me Madonën. Kjo nuk la askënd indiferent për rikrijimin e një imazhi mitik të të dyjave.
Dhe si thoshte kënga e Britney: ‘Oops! E bëra sërish…’ Dy këngëtaret u puthën sërish në buzë, si ajo puthja e famshme që dikur befasoi botën në “MTV Video Music Awards” më 2003, 19 vite më parë.
Puthja ndodhi gjatë një performance të të dyjave, së bashku me Christina Aguilera. Në postim Madonna shihet me duart në belin e nuses dhe gati për t’i puthur buzët e saj.
“Britney, dukesh kaq e lumtur dhe e dashuruar. Të uroj ty dhe Sam çdo të mirë! Mbrëmja ishte argëtuese dhe e djersitur”, – shkroi mbretëresha e pop-it në Instagram.
Edhe Paris Hilton, e ftuar në dasmë, ka komentuar imazhin: “Mbretëresha ikonike! Ju dua shumë të dyjave!”