Aktorja e njohur amerikane Julia Garner do të interpretojë personazhin e Madonna, këngëtares së famshme të muzikës “pop”. Ka qenë vetë Madonna ajo që ka përzgjedhur aktoren 28-vjeçare pas shumë kërkimesh, ndërkohë që dhjetëra kandidate janë paraqitur për të bërë provat.

Mes tyre kanë qenë mjaft personazhe të njohura si Alexa Demie, Florence Pugh apo Bebe Rexha e Sky Ferreira. Gjithsesi, Madonna ka përgjedhur Julia Garner, prej 10 vitesh aktive në skenë. Garner ka edhe një ngjashmëri fizike me Madonna-n e 40 viteve më parë, çka e ka favorizuar në këtë përzgjedhje.

Ky film do të prodhohet nga vetë Madonna, e cila do të jetë producente për të tretën herë në karrierë, pas filmave “Filth and Wisdom” (2008) si dhe “W-E” (2012). Gjithsesi, ky film do të fokusohet te karriera e këngëtares, kryesisht në vitet 80-90, ku dhe ajo korri suksesin e saj më të madh në karrierë.