Dani Carvajal raportoi një tentativë vjedhjeje të pësuar të martën në agim në shtëpinë e tij në Madrid. Sipas raportimeve të gazetës “El Confidencial”, dy persona me shufra hekuri kanë tentuar të hyjnë në shtëpinë e tij.

Në atë kohë, mbrojtësi i Real Madridit nuk ishte i pranishëm, por “skifterat” janë zbuluar menjëherë nga kamerat e sigurisë. Policia po heton denoncimin e lojtarit spanjoll, i cili ka mbërritur pak ditë pas grabitjes së dhunshme të sulmuesit të Barcelonës, Aubameyang, i rrahur dhe vjedhur në shtëpinë e tij.

Sulmuesi gabonez, madje ka marrë një goditje me shufër hekuri në nofull, ka thyerje të saj, ndaj pritet të mungojë në fushat e blerta për 4 deri në 5 javë. Pierre-Emerick Aubameyang u sulmua dhunshëm nga njerëz me kapuç, të cilët hynë në shtëpinë e tij në Castelldefels në agim.

Sportistët, “gjahu” i grabitësve, disa nga rastet – Sidoqoftë, sulmuesi i Barcelonës nuk është ylli i parë sportiv që është grabitur me armë te koka në shtëpinë e tij.

Në janar 2020, Ashley Cole, një anësor që luajti për Arsenalin, Crystal Palace, Chelsea, Roma, LA Galaxy Derby County, u grabit nga hajdutë të maskuar në rezidencën e tij në Fetcham (Surrey).

Mbrojtësi ndërkombëtar, i cili përfundoi jashtëzakonisht i tronditur nga përvoja, u lidh në një karrige nga deri gjashtë hajdutë të veshur me kamuflazh dhe kapuç, të cilët morën një shumë të madhe parash dhe bizhuteri.

“Le t’i presim gishtat”, – iu sugjeroi një nga hajdutët shoqëruesve të tij përpara fëmijëve të Cole, ndërsa ata e mbanin të lidhur. Në mars 2006, katër individë sulmuan shtëpinë e Roberto Dueñas në urbanizimin e Golf Girona në agim, duke e lënë basketbollistin e atëhershëm të Akasvayu Girona të prangosur në tokë.

Roberto Dueñas, i gjatë 2.21 metra dhe që peshonte 137 kilogramë, i cili bëri histori te Barcelona dhe kombëtarja spanjolle, e kërcënuan duke i vendosur një kaçavidë në gjoks për ta ulur në gjunjë. Duenas ishte në gjendje të njoftonte policinë, pasi grabitësit kryen punë me të.

Në dhjetor 2016, tenistja Petra Kvitova, fituese e Wimbledon më 2011 dhe 2014, medalje bronzi në Lojërat Olimpike të ‘Rio 2016’, u sulmua me thikë nga një burrë në shtëpinë e saj në Prostejov.

Në gjyq, Petra Kvitova njohu Radim Zondra si njeriun që u paraqit si mirëmbajtësi i bojlerit dhe e sulmoi atë. “Ai më kërkoi të ndizja ujin e nxehtë dhe e pashë thikën në qafë. E kapa tehun e thikës me dorën time të majtë… dhe ndërsa rashë në tokë pashë se kishte gjak kudo”, – shpjegoi Kvitova.

Për dëmtimet e rënda që ka pësuar në dorë, tenistja ka shpjeguar: “Më ka prerë të gjithë gishtat e dorës së majtë dhe gjithashtu edhe nervat e gishtit të madh e atij tregues”.