Në një deklaratë për mediat, Komiteti i Ekspertëve, që sot përfaqësohej para gazetarëve nga ministrja Ogerta Manastirliu, tha se së fundi ka pasur një rritje të rasteve me Covid-19, por masat do të jenë të njëjta. Pra, nuk do të ketë shtrëngime të tjera për momentin:

“Përsa i përket situatës epidemiologjike, komiteti duke ndjekur situatën mbi baza ditore e javore ka vlerësuar një rritje të incidencës 2 javore që ka pësuar rritje në 14 ditët e fundit. Një rritje që është 217 raste të reja për 100 mijë banorë nga 2-15 janar.

Kemi një rritje të numrave të rasteve ditore të reja sipas bashkive nga 44 në 50, me një mesatare të përjavshme që vlerësohet me numra të rritur. Përsa i përket numrit të pacientëve të shtruar, ballafaqohemi me një rritje të rasteve. Rritja është e qëndrueshme, nuk është alarmante. Është një situatë që tregon se duhet të kemi kujdes të shtuar dhe rritje të vigjilencës.

Numrat e pacientëve të shtruar në spital kanë pësuar rritje me një mesatare prej 273 shtrimesh në 14 ditë. Në radhët e terapisë intensive ka një rritje. Duke bërë një vlerësim të pozitivitetit në raport me testimet, në të gjithë vendin vijon testimi në komunitet për të izoluar çdo rast në kohën e duhur.

Nga shtimi i numrit të testimeve, përmes testimit të shpejtë, vlerësohet një rritje e qëndrueshme e pozitivitetit. Kjo kërkon që qytetarët të bëjnë kujdes. Efekti i rritjes së qëndrueshme vjen dhe si efekt i festave të fundvitit nga mbledhjet familjare gjatë kësaj periudhe.

Do të vijojmë që të kemi në fuqi masat që kemi pasur derimë tani, në tërësinë e tyre vijon puna për testimin në të gjithë vendin, puna në katër spitalet vijon pa u ndalur, kemi siguruar kapaciotetet e nevojshme me barna”.