Roberto Mancini tashmë ka treguar me grumbullimin e fundit, ku thirri 38 lojtarë, se dëshiron një zgjedhje më të gjerë në këtë moment të veçantë historik edhe për futbollin. Shumë variabla, shumë ndeshje të ngjeshura. Kushtet mund të jenë të favorshme, sipas trajnerit të kombëtares axurre, për ta zgjeruar përbërjen e skuadrave finaliste të Kampionatit Europian  në rreth 26 lojtarë (nga 23, sa lejohen deri tani).

Kësaj pyetjeje specifike, në fakt, për mikrofonët e “Rai Sport”, Mancini iu përgjigj: “Mund të jetë një gjë e mirë, gjithashtu sepse është një sezon shumë i vështirë. Dhe nëse diçka ndodh gjatë Kampionatit Europian, me disa raste pozitive, do të ishte e vështirë të kërkosh lojtarë të tjerë nga një ditë në tjetrën, kur ata janë mbase me pushime. Nëse kjo ide do të shtrohej për diskutim, do të pajtohesha me të. Sidoqoftë, qartazi është një vendim që i përket UEFA-s”.

“Kërkesa” e tij, gjithashtu mund të pranohej dhe t’i propozohej UEFA-s nga ndonjë trajner tjetër. Në javët e ardhshme, UEFA gjithashtu do të vendosë nëse do ta zgjerojë numrin e zëvendësimeve për ndeshje në pesë, diçka që tani është bërë e zakonshme në të gjitha ligat europiane.