Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, ka folur për yllin e Juventus, Federico Chiesa.

“Ai dhe babai i tij janë shumë të ndryshëm. Enrico erdhi shumë i ri te Sampdoria, mund të themi se e kam rritur unë. Pas një sezoni në Serinë A, filloi të shënonte i huazuar te Modena, më pas te Cremonese”, ka thënë Mancini për Corriere dello Sport.

“Kur u kthye te ne, ishte gati. Federico është ndryshe nga babai, fizikisht dhe teknikisht. Janë të ngjashëm në prekjen e fundit para se të godasë portën”.

“Besoj se kalimi tek Juventus është shumë i rëndësishëm për rritjen e tij, veçanërisht në aspektin mendor. Ka bërë gjithmonë mirë me kombëtaren, do të jetë i rëndësishëm për ne”.