Fundi i merkatos së futbollit pati momentet dhe nënshkrimet e veta të rëndësishme. Sidoqoftë, mund të kishte pasur një goditje të bujshme, që në fund nuk ndodhi, – zbulon “Marca”.

Paris Saint-Germain i ofroi Manchester City nënshkrimin e Neymar, por Pep Guardiola e refuzoi ofertën pariziene dhe nuk donte të nënshkruante me sulmuesin brazilian.

Pavarësisht fillimit të mirë të sezonit të Neymar dhe mesazheve të tij të vazhdueshme që siguronin vazhdimësinë e tij në Paris, klubi francez nuk kishte asnjë shqetësim për t’ia ofruar shërbimet e tij “qytetarëve” në Premier League.

Marrëdhënia e Ney me Mbappé, yllin e madh parizien, pas rinovimit të tij, do të ishte shkas për vendimin e PSG, i cili donte ta largonte një nga yjet e tij për të shmangur problemet në dhomat e zhveshjes dhe papërputhshmërinë e egos.

Por Manchester City, i cili nënshkroi me Haaland në startin e merkatos verore, nuk kishte ndërmend të ndërmerrte një nënshkrim të përmasave të tilla dhe me efekte të mundshme në dhomën e zhveshjes, si dhe funksionimin e skuadrës, pavarësisht cilësisë së futbollistit.

City e refuzoi ofertën dhe Neymar, të cilin skuadra e tij e vendosi në vitrinë, do të vazhdojë të luajë në “Parc des Princes”.