Marcos Alonso (31 vjeç) nuk mundi ta fshehë lumturinë e tij në deklaratat e para si lojtar i ri i Barçës, pasi konfirmoi regjistrimin këtë të premte. Mbrojtësi i majtë foli për mediat e klubit katalanas dhe u shpreh shumë i lumtur me këtë sfidë të re në karrierën e tij.

“Jam shumë i lumtur. Shumë herë gjatë karrierës sime kemi pasur biseda dhe më në fund jemi këtu. Jam shumë i lumtur dhe i etur për të filluar. Që në momentin e parë, vetëm Barça ishte në kokën time.

Është diçka që unë e kam e kërkuar për një kohë të gjatë, mendoj se është hapi tjetër i duhur në karrierën time dhe mezi pres të tregoj çfarë juam në gjendje të bëj, – tha Marcos Alonso, i cili pranoi se kishte folur tashmë me Xavi për rolin e tij në ekip.

– Po, kam folur me trajnerin. Do të kontribuoj për atë që trajneri kërkon nga unë dhe çfarë i nevojitet skuadrës. Tashmë kam pak përvojë dhe duhet ta vë në shërbim të skuadrës e të fitojmë”.

Spanjolli, gjithashtu vuri në dukje se njohja e disa lojtarëve ka qenë një faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimit për të nënshkruar me Barçën, duke ndjekur gjurmët e të atit.

Marcos Alonso u pyet edhe për rrethanat e nënshkrimit për skuadrën në të cilën luante babai i tij Marcos dhe pranoi se është një tjetër faktor që e bën nënshkrimin e tij për Barçën edhe më të veçantë:

“Është shumë e veçantë që mund të luaj në ekipin ku triumfoi babai im. Pa dyshim, është një arsye tjetër e rëndësishme për të qenë këtu. Ai është gjithashtu i lumtur dhe zakonisht ruan qetësinë, por kësaj here është shumë i emocionuar.

Është diçka që nuk mund ta imagjinonim. Më kujtohet kur do të më sillte për të parë një ndeshje në ‘Camp Nou’. Të jesh këtu është e pabesueshme”, – përfundoi Marcos Alonso.