Edi Martini shijon fitoren e çmuar ndaj Tiranës dhe ruajtjen e hapit të kryesuesve. Ai thotë se besonte te suksesi ndaj kampionëve në fuqi, edhe pse luante në transfertë: “Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, na duheshin pikët. Kishim gjithë respektin për Tiranën, por ishim të sigurt se do t’ia dilnim. Kishim besim, pasi edhe na ka ecur kohët e fundit ndaj bardhebluve. Erdhëm me besimin e plotë për të fituar dhe dolëm me tri pikë.

Fitojmë më shumë jashtë se brenda? E vërtetë, në fillim patëm probleme. Normalisht, ekipet kundërshtare e dinin se kë kishin përballë, ndaj merrnin masat, luanin në mbrojtje. Në shumë ndeshje kemi barazuar, edhe pse lojërat kanë qenë të mira. Sigurisht, nuk kemi pasur edhe fat. Ai trend ka ndryshuar dhe nuk besoj se do të përsëritet më.
Çdo ndeshje, edhe kur fiton, evidenton gjëra që duhen rregulluar. Do ta analizojmë ndeshjen e sotme, të metat nuk janë të pakta. Në fund duhet të ishim më të qetë, që të shënonim golin e dytë dhe ta mbyllnim ndeshjen.

Vila ka gjendje fizike shumë të mirë dhe menduam ta fusnim në mesfushë. E dini që ai vrapon pafund, ndaj e vendosëm aty. Rasti flagrant i Grudës? Ai është djalë i ri, do të rritet dhe do të mësohet. Njëra anë e medaljes janë rastet e humbura, ana tjetër fakti që i krijon”.