Çifti i njohur i aktorëve turq, Serkan Çayoğlu dhe Özge Gürel i kanë dhënë fund beqarisë, duke u kurorëzuar me martesë. Para disa muajsh dy aktorët zyrtarizuan lidhjen e tyre disa vjeçare me fejesë, teksa ditën e enjte kanë vendosur unazat dhe janë martuar.

Özge dhe Serkan zgjodhën Gjermaninë për të celebruar dashurinë e tyre, pasi aktori turk ka lindur aty, ndërsa edhe pjesa tjetër e familjes së tij është shpërngulur në Turqi.

Sipas asaj që raportojnë mediat turke, ceremonia e dasmës ishte shumë intime. Në këtë ceremoni të vogël kanë marrë pjesë miqtë e tyre më të ngushtë si dhe dy familjet e tyre.

Në rrjetet sociale po qarkullojnë fotot e dasmës, me aktoren që ka veshur një fustan të bardhë mjaft fin dhe Serkani me kostumin e dhëndrit. Nuk kanë munguar as urimet e fansave të cilët i kanë uruar një jetë të lumtur.

Dy aktorët kanë shumë fansa edhe në Shqipëri. Ata janë bërë të njohur për publikun shqiptar me serialin “Stina e Qershive”, një serial që tërhoqi dhe bëri për vetë në kohën kur u transmetua shumë të rinj.

Aktorët u njohën pikërisht në këtë film dhe nga ky serial, ku ata ishin dy të dashuruar, nisi edhe dashuria e tyre në jetën reale. Edhe ne i urojmë jetë të lumtur çiftit!