Pak ditë më parë, artistja e famshme shqiptare Mariza Ikonomi zbuloi për të gjithë se është në një lidhje dashurie. Edhe pse nuk është shfaqur kurrë në publik, ajo tregoi se së shpejti do të martohet.

Sakaq, ky lajm përforcohet nga një deklaratë e mikut të saj, moderatorit të njohur Ermal Peçi i cili tha se shumë shpejt këngëtarja e disa hiteve shqiptare do të kurorëzojë dashurinë e saj.

“I kam thënë ‘Martohu’ dhe po e them si lajm ekskluziv se Mariza do martohet shumë shpejt. Është e vetmja gjë që i kemi kërkuar publikisht dhe e ka ndarë mendjen” -u shpreh Ermali pa zbuluar më shumë detaje.

Pas kësaj deklarate nga ana e Ermalit, ka ardhur edhe reagimi i Marizës, e cila nuk ka konfirmuar nëse do të ketë dasmë së shpejti, duke iu përgjigjur pyetjes në mënyrë diplomatike.

“Besoj që martesa me personin e duhur nuk është asnjeherë gabim. Mua nuk më frikson por edhe nuk jam nga ata që vdiqa për t’u martuar. Unë i dua festat. E rëndësishme është se si ndihesh me njëri-tjetrin pastaj këto gjërat janë të bukura dhe mund të mbetet një kujtim por nuk është gjithçka”-tha ajo në një intervistë në Top Albania Radio.

Mariza gjithashtu zbuloi se këngën e saj të fundit ia ka dedikuar partnerit të saj duke shtuar se ndihet e dashuruar dhe e lumtur. “Në fakt kjo ka qenë një nga këngët që ne ia kemi kushtuar njëri-tjetrit, ose unë ia kam kushtuar atij. Muzika edhe teksti është frymëzuar prej tij. E kemi kënduar shumë shpesh bashkë.  Kishte një ‘vibe’ shumë të mirë. Kjo është kënga e parë që unë i kam kushtuar dhe shpresoj që të vazhdoj t’ia kushtoj sepse nuk ka gjë më të bukur sesa të frymëzohesh nga dashuria. Unë vërtet ndihem e dashuruar dhe e lumtur.”

Ajo thotë se tashmë jeta e saj ka marrë kuptim. “Unë mund të them se jeta ka marrë një kuptim të bukur. Ndihem vërtet shumë mirë. Ditët janë edhe më motivuese dhe më të bukura. Është me të vërtetë një bekim që ta ndiesh veten mirë. Por kur gjen një person kupton që gjithçka ka nisur një kapitull të ri. Është një gjë sublime.”