Me pretekste të ndryshme dhe pas një pune të madhe afrimi për të fituar besimin e tyre, duket s e kanë mashtruar dy të moshuar duke arritur të marrin gjatë kohës një shumë prej 13 milionë eurosh para se të zbuloheshin dhe ndaleshin.

Kjo është akuza që i bëhet një familje të tërë që ka përfunduar në pranga ditët e kaluara në Toskanë të Italisë për krimet e mashtrimit dhe vjedhje.

Protagonistët negativë të kësaj çështje, që tani është mbyllur me ndërhyrjen e forcave të rendit dhe prokurorisë, janë babai, mamaja dhe dy fëmijët, të cilët janë vënë në arrest shtëpie.

Gjithçka duket se ka filluar në 2016-ën e largët kur mamaja është vënë në kontakt me dy pensionistët, të dy banorë në Pizano, por që nuk njiheshin mes tyre.

Justifikimi për t’i fituar besimin dy të moshuarve ka qenë oferta për pranoterapi në shtëpi, një lloj mjekësie alternative për të kuruar shqetësime të ndryshme nëpërmjet lëvizjes së duarve.

Gruaja duket se i ka bindur pensionistët që ta linin të hynte në shtëpi për të lehtësuar dhimbjet e tyre nëpërmjet teknikës së kësaj mjekësie alternative.

Nëpërmjet disa seancave, gruaja duket se ka fituar besimin e tyre, duke arritur në fund që t’i bindte t’i dorëzonin, në shumë raste, shuma të mëdha parash, por edhe sende me vlerë.

Sende që më pas janë shitur nga burri i gruas, prej ku ka ardhur edhe akuza e shitjes ilegale. Megjithatë, grupi i familjes duket se ka shkuar më tej duke marrë në emër të tyre edhe një makinë dhe kuota të disa kompanive, duke arritur në fund edhe që dy fëmijët të bëheshin trashëgimtarët e testamenteve të tyre për një vlerë të përgjithshme prej 13 milionë eurosh.

Ka qenë pikërisht grykësia e familjes që ka bërë të jepej alarmi nga disa të njohur të viktimave, që i janë drejtuar karabinierëve duke i hapur rrugën nisjes së hetimeve. Një pjesë e sendeve të marra gjatë kohës nga ana familjes është gjetur nga karabinierët gjatë kontrolleve dhe tani është sekuestruar.