Mbretëresha Elisabetë feston sot 96-vjetorin e saj të lindjes. Ajo është sovrania më jetëgjatë e mbretërisë britanike dhe këtë ditëlindje ka vendosur ta kalojë e vetme, me pak të afërm e familjarë, jo në kështjellën Windsor. Kjo edhe për faktin se një vit më parë u nda nga jeta bashkëshorti i saj, princi Filip.

Sipas mediave britanike, Elisabeta ka vendosur të qëndrojë në vilën e saj private në Sandringham, në zonën e Norolk, ku dhe bashkëshorti i saj kishte vendosur të jetonte pas tërheqjes nga jeta publike. Natyrisht që ajo ka marrë urimet nga njerëzit e saj më të afërt, por nuk do të ketë asnjë festë, pasi vetë ajo ka refuzuar një gjë të tillë.

Ajo ka zgjedhur qetësinë me disa nga nipërit e mbesat në vend të një festë të zhurmshme me miqtë dhe familjarët e saj, në këtë vilë në fshat. Pak kohë më parë ajo kaloi edhe Covid-19, ndaj duket se ka preferuar një jetë më të qetë. Së fundi, familja mbretërore ka publikuar një foto të mbretëreshës Elisabetë me dy kuaj të bardhë.