“Më në fund kjo naziste e vjetër ka vdekur, ka mbaruar njëherë e përgjithmonë, duartrokitje të forta për Satanin që e mori me vete. Unë i premtova se do të bënim dolli kur kjo plehra britanike të kishte vdekur, kjo ndyrësi e Luciferit”.

Këto janë disa nga frazat absurde që tha gazetari argjentinas Santiago Cuneo në lajmin për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II.

Gazetari, prezantues i programit ‘Cuneo al mediodia’, ka hapur një shishe shampanjë dhe ka festuar duke u tallur drejtpërdrejt me mbretëreshën, mes të qeshurave të të ftuarve të pranishëm.

“Ne po festojmë. Ishte një mundim. Kjo admiruese e Hitlerit më në fund e ka gjetur fundin e saj”, tha Cuneo. Fjalë që kanë ngjallur kaq shumë kritika në Argjentinë.

Në Twitter, video u bë virale dhe shumica e përdoruesve u distancuan menjëherë. Cuneo, përveçse gazetar, është edhe politikan i Partisë Justicialiste, me orientim peronist dhe populist, e themeluar në vitin 1947 nga Juan Domingo Peron si Partia Peroniste.

Në rrënjë të kaq shumë urrejtje ishte lufta për kontrollin e Ishujve Falkland-Malvinas, e luftuar midis prillit dhe qershorit 1982.

Konflikti që përfundoi me fitoren e Londrës. Argjentina, megjithatë, ka kërkuar gjithmonë të drejtat e saj ndaj ishujve, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike.