Janë mbyllur para pak minutash qendrat e votimit në Itali, ku prej orës 07:00 të mëngjesit italianët votuan për të zgjedhur dhomën e përfaqësuesve dhe senatin, nga dhe do të dalë qeveria e re.

Sondazhet e para pas mbylljes së qendrave të votimit favorizojnë partitë e qendrës së djathtë me Xhorxhia Melonin si kryeministren e parë femër të Italisë.

Sipas sondazheve partitë e djathta kanë marrë nga 41 deri në 45 përqind të votave, partitë e qendrës së majtë 25 deri në 29 përqind, ndërsa Lëvizja 5 Yjet ka marrë 13 deri në 17 përqind të votave.

Parlamenti i ardhshëm do të jetë i pari në historinë e republikës italiane që do të ketë më pak deputetë, kjo pas referendumit të shtatorit 2020. Numri deputetëve në Dhomën e Deputetëve nga 630 do të ulet në 400, ndërsa në Senat ai zbret në 200 krahasuar me 315 deri tani.

Deri në orën 19:00 pjesëmarrja e votuesve arriti në 51.14%. Pjesëmarrja është ulur me rreth 8% krahasuar me vitin 2018, kur në të njëjtën kohë kishin shkuar në votime 59.05% e atyre që kanë të drejtë.

Mbi 400 gazetarë dhe ekipe të akredituara nga e gjithë bota janë grumbulluar në sallën e “Hotel Parco dei Principi”, i zgjedhur nga “Vëllezërit e Italisë’, kandidatja për kryeministre e të cilëve, Giorgia Meloni është favorite për të marrë drejtimin e Italisë.