Një pikturë mjeshtërore holandeze 400-vjeçare, që ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë, është zbuluar në një depozitë në Australi. Vepra e artit e quajtur “Still Life” u mbajt për shumë vite në atë që tani është një muze i njohur si Akademia Woodford në Malet Blu, në Uellsin e Ri Jugor, Australi.

Piktura holandeze e shekullit të 17-të, e Epokës së Artë u zbulua në një koleksion prej 60.000 pjesësh të dhuruara për Fondin Kombëtar të Australisë. “Është një moment i rrallë dhe jashtëzakonisht emocional”, – tha Julian Bickersteth, koordinator i projektit dhe CEO i Shërbimeve të Konservimit Ndërkombëtar, kompania që kryen punën e restaurimit, në një deklaratë për shtyp.

Piktura përmban një tavolinë të bardhë të shtruar, me mbulesë, me ushqim të përbërë nga një byrek me arra dhe një rrotull, si dhe një filxhan argjendi e gota. Vepra i atribuohet Gerrit Willemsz Heda, djalit të piktorit të famshëm holandez të shekullit të 17-të, Willem Claesz Heda, i cili njihet si një nga mjeshtrit e mëdhenj të epokës së artë holandeze. Por ekspertët janë ende duke hetuar origjinën e “Still Life”, sipas njoftimit për shtyp.

Firma e Heda është shumë e ngjashme me atë të të atit dhe pikturat i atribuoheshin babait të tij deri në vitin 1945. Sugjerimet se mund të jetë një vepër bashkëpunuese babë-bir po hetohen. Një zëdhënëse e fondit tha se vlera e veprës së artit është ende duke u vlerësuar, por ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë. Veprat e Heda zakonisht vlerësohen nga 2.9 deri në 3.7 milionë dollarë, shtoi zëdhënësja.

“Gjetja e një pikture autentike të shekullit të 17-të në magazinë time të Trustit Kombëtar ishte përtej se emocionuese, më la pa frymë, – tha në njoftimin për shtyp menaxherja e Koleksioneve të Trustit Kombëtar, Rebecca Pinchin.

– “Gjetja e firmës së artistit dukej si një shans në një milion. Kjo është një histori e jashtëzakonshme zbulimi, e cila na çoi në një udhëtim gjatë disa viteve, duke mbledhur dhe vërtetuar punën përmes këshillave dhe teknologjisë së ekspertëve”.

Është e mundur që vepra e artit të jetë prezantuar në shtëpinë në Woodford nga Alfred Fairfax, nipi i James Fairfax, themeluesi i “Sydney Morning Herald”, sipas njoftimit për shtyp.

Ai e bleu ndërtesën më 1868, një kohë kur veprat holandeze dhe ankandet e “mjeshtrave të vjetër” ishin veçanërisht të njohura. Piktura do të ekspozohet si pjesë e Festivalit Australian të Trashëgimisë 2022 në “Woodford Academy”, Blue Mountains, më 14 maj.