Në seancën e radhës të ndërmjetësimit në rubrikën ‘Shihemi në Gjyq’ në programin ‘E Diela Shqiptare’ në Tv Klan, me avokaten e njohur Eni Çobani dhe moderatorin e dashur Ardit Gjebrea, protagonistë ishin një nënë dhe djali i saj, të cilët u përballën me njëri-tjetrin për shkak të emrit që e ëma i ka vendosur të birit. Emri i tij, Gazmend, duket se i ka sjellë shumë probleme në shtetin ku ai jeton prej vitit 1997, në Greqi, teksa djali shprehet se është bullizuar gjatë gjithë kohës.

Gazmendi rrëfen se emri i tij në greqisht ka ngjashmëri me kazmën dhe për këtë arsye ai ka dashur ta ndryshojë, por nuk ka mundur, teksa prej 5 vitesh ai nuk i flet as të ëmës. E për këtë arsye, nëna e tij kishte vendosur ta sillte në këtë seancë ndërmjetësimi, për t’u pajtuar me të birin. Seanca nis me mjaft emocione, pasi e ëma kërkon ta përqafojë, por Gazmendi nuk pranoi ta takonte deri sa të ndryshonte emrin.

Gazmend: Mamaja ime e di çfarë kam hequr unë në tërë këto vite që në ‘97.

Luljeta: Më lër të të përqafoj o bir!

Gazmend: Jo.

Luljeta: Më jep dorën të paktën.

Gazmend: Kur të mundem që të ndryshojë emri. Se kaq vite… kam që në ’97 e deri tani që më tallin shokët me këtë emër që më keni vënë. Nuk e di kush e vuri, por unë kam probleme në jetën time.

Më tej, Gazmendi tregon edhe peripecitë e tij dhe bullizimin që merrte nga shokët e mësuesit në shkollë, teksa në Greqi ai njihet me emrin e paëzimit, Panajot, të cilin dëshiron ta ketë edhe në Shqipëri. I pyetur nga moderatori Gjebrea nëse ai ka pasur probleme me vajzat për shkak të emrit, Gazmendi përgjigjet: Shumë. Sa i thosha emrin, bënin mbrapa, “pse më gënjeve kaq kohë me një fjalë, ky emër nuk më pëlqen mua”. Të gjithë njerëzit më njohin si Panajot.