Verë e bardhë, verë e kuqe apo birrë dhe alkoole të tjerë? Ata që i pëlqejnë i zgjedhin më shumë në bazë të shijeve. Megjithatë, sipas shkencëtarëve, nuk duhet të varet vetëm nga kjo.

Një studim i bërë nga Iowa State University (USA) ka pohuar, në fakt, se zgjedhja e pijes ka efekte të ndryshme në trupin tonë. Kështu, duke pranuar se alkooli dhe shëndeti nuk shkojnë mirë, cila është zgjedhja më e mirë?

Për studiuesit, përgjigja është se vera është një zgjedhje më e mirë. Konsumi i birrës dhe alkooleve të tjerë ka një ndikim më të keq në shëndetin dhe fizikun, dhe rrezikon të zhvillojë sëmundje kardiake dhe komplikime të tjera.

Studimi i bërë me pothuajse 1.900 persona nga 40 deri në 80 vjeç ka zbuluar se konsumi i verës nuk shkakton të njëjtin dëm. “Çdo pije ka vlera ushqyese specifike dhe përqindje të ndryshme alkooli”, lexohet në studim.

“Një preferencë për një lloj alkooli, në një periudhë afatgjatë, mund të ndikojë në mënyrë të ndryshme në trupin tonë. Për shembull, një konsum më i madh i birrës dhe alkooleve ndikon në rritjen e peshës. Në të kundërt, vera ka treguar se nuk e ka këtë ndikim”.

Autorja e studimit, Brittany Larsen, ka shpjeguar: “Plakja shoqërohet shpesh nga një rritje e dhjamit që çon edhe te rritja e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare. Kjo ka ndikim të madh te shëndeti, duke parë se 75% e të rriturve në Amerikë konsiderohen mbipeshë”.

Për korrektësi, ekipi i studiuesve ka pranuar se faktorët biologjikë dhe ambientalë që kontribuojnë në rritjen e peshës janë të shumtë. Alkool është vetëm një prej tyre. Megjithatë, shumë studime tregojnë se është një nga shkaqet kryesorë për rritjen e nivelit të dhjamit, bashkë me një dietë jo shumë të mirë dhe një stil jete sedentar.

Kujdes: studimi amerikan nuk është një ftesë për t’iu dhënë verës pa limit. Studiuesit kanë saktësuar se e gjithë panorama e të mirave dhe dëmeve që vijnë nga alkooli nuk është akoma e qartë.