Pas humbjes së rëndë në Haifa, kundër Maccabit, presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, theu heshtjen dhe foli me kritika të ashpra për bardhezinjtë, por nuk e vuri në diskutim pozicionin e Allegrit:

“Mbrëmje e vështirë në një periudhë të vështirë. Sigurisht një nga më të vështirat që kur jam bërë president. Unë jam këtu për të marrë përgjegjësitë e mia, sepse më vjen turp dhe inat me atë që po shoh.

Por futbolli është një sport ekipor, ne luajmë dhe humbasim të gjithë së bashku. Besimi tek Allegri? Absolutisht, është një çështje grupi, jo te një njeri i vetëm”. Agnelli përpiqet të injektojë doza optimizmi për ndeshjet e radhës

“Kemi 9 ndeshje në 30 ditë dhe duhet të pozicionohemi mirë, pjesa e dytë e sezonit do të na shohë si protagonistë.” Konfirmimi i Allegrit nuk lidhet me kontratën e tij dhe shumën që duhet t’i paguajë klubi në rast shkarkimi.

“Nuk mund të jetë faji i trajnerit nëse nuk arrijmë të fitojmë një duel. Është një grup prej 80-90 personash që duhet të rizbulojnë identitetin dhe cilësitë e tyre”.  Massimiliano Allegri, trajneri i klubit torinez ra dakord me mendimin e shefit të Juventusit, Andrea Agnelli, i cili pranoi se i vinte turp për paraqitjen e ekipit.

Ai foli edhe për dorëheqjen e tij të mundshme. “Dorëheqje? As që e mendoja. Kur detyra është më e vështirë, bëhet më interesante. Duhet të dalim nga situata me dinjitet, pasion dhe qëllim”, ka thënë Allegri, për La Gazzetta dello Sport.