Duke folur në konferencën për shtyp nga Milano, gjatë një ngjarjeje të lidhur me finishin e merkatos së kësaj vere, CEO i Interit, Beppe Marotta u ndal edhe te mundësia e hapjes së një “dritareje” tregu transferimesh dimërore gjatë pauzës së ligave kombëtare për shkak të zhvillimit të Kupës Botës në Katar:
“Në pushimin e diktuar nga Botërori këtë vit, i bie që klubet të kenë luajtur gjysmën e sezonit. Ata që marrin pjesë në Kupat e Europës kanë përfunduar tashmë grupin dhe në kampionat indikacionet janë dhënë, duke qenë se ditët e ndeshjeve do të jenë tashmë të shumta.
Në atë moment do të jetë e mundur për të ndryshuar dhe modifikuar strategjitë e klubeve. Gjithsesi jemi pjesë e një konteksti organizativ të UEFA-s, ka shumë liga të kushtëzuara nga ky sistem i tregut të transfertave.
Duhet të gjendet ndoshta përmes ECA-s një logjikë se si të rregullohet ky aspekt, sigurisht relevant. Sot jemi në javën e katërt të kampionatit dhe ka ende pak ditë transfertash. Kjo do të thotë se në çdo klub ka tensione, ka situata për t’u përcaktuar.
Ka klube që duhet të plotësojnë skuadrën ose të sistemojnë (largojnë) tepricat. Një situatë e madhe shqetësimi është sot, do të jetë e tillë edhe mesi i nëntorit, kur do të ketë dy muaj mosaktivitet të pjesshëm”.