Leo Messi ka konfirmuar se është një fenomen jo vetëm në fushën e lojës, por edhe përpara telekamerave. Po, është pikërisht kështu.
Pleshti, në fakt, ka bërë debutimin e tij si aktor duke bërë një paraqitje të shkurtër në serialin televiziv “Los Protectores”, duke aktruar në krah të profesionistëve si Adrian Suar (Renzo ‘Mago’ Magoya), Andres Parra (Reynaldo ‘Colombia’ Moran) dhe Gustavo Bermudez (Carlos ‘Conde’ Mendizábal).
Sulmuesi i PSG-së do të shfaqet në sezonin e dytë, kështu që do të duhet të presim deri në 2023-shin për ta parë në ekran në rolin e aktorit dhe jo të futbollistit.
Aktorët e serialit kanë mbetur të befasuar, jo vetëm nga aftësitë skenike të ish-yllit të Barcelona-t, por edhe nga sjellja e tij jashtë fushës.
“Na ka befasuar me të vërtetë, jo vetëm për cilësinë e tij si person, por edhe për aftësitë e tija si aktor. Mendoj se është më mirë jashtë fushë si person se sa si lojtar”, kanë thënë disa nga protagonistët e “Los Protectores” pas xhirimeve të bëra në Paris.
Për sa i takon subjektit të serialit, bëhet fjalë për historinë e një tresheje menaxherësh futbollistësh që duhet të përballen me një kërcënim të papritur për biznesin e tyre.